Odalovic dhe Lazarevic duan konflikt të ri — nxjerrin paralele në mes të Kosovës dhe Afganistanit
18.08.2021 ·
Autor: YIHR
Së fundmi, kryengritësit talibanë, të cilët kontrollojnë gati dy të tretat e Afganistanit, kanë hyrë në kryeqytetin Kabul dhe kanë pushtuar pallatin presidencial. Veljko Odalovic ka deklaruar se pasi amerikanët u tërhoqën nga Afganistani, kjo do të thotë se talibanët kanë mposhtur Shtetet e Bashkuara dhe britanikët dhe të gjithë ata që kanë luftuar kundër tyre. Odalovic në programin e mëngjesit të së Hënës në RTS tha: “Kudo që ishin amerikanët, ata u larguan nga ai vend, dhe Prishtina duhet të mendojë për këtë… “. Këtyre deklaratave ju bashkangjit edhe Vladimir Lazarevic, i dënuar për krime lufte. Ky i fundit tha që “SHBA-të do të ikin nga Kosova si nga Afganistani.”Deklarata të tilla bëjnë thirrje për një konflikt të ri dhe nxisin urrejtje në mes komuniteteve. Ato gjithashtu ndjellin frikë e pasiguri tek qytetarët e Kosovës duke nxjerrë paralele në mes të Afganistanit dhe Kosovës.Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Serbisë dhe personave udhëheqës në Serbi që të ndalojnë me deklarata të tilla frikësuese dhe të përqendrohet në procesin e pajtimit duke punuar në proceset e ballafaqimit me të kaluarën. Poashtu, bëjmë thirrje që kriminelët e luftës si Lazarevic të mos përfshihen apo ndërhyejnë në procese politike apo të mos nderohen. Rikujtojmë që Vladimir Lazarevic së fundi u nderua me titullin qytetar nderi në komunën Pantelej të qytetit të Nishit, Serbi.Ne besojmë që nuk do të mund të arrihet normalizim i marëdhënieve përderisa ka gjuhë urrejtëse dhe frikëndjellëse nga udhëheqësit e tanishëm të të dy shteteve, dhe pa sjellur drejtësi për të gjitha viktimat pa diskriminim. Ne, si brez i të rinjve nga Kosova dhe Serbia, gjithmonë do të jemi kundër nxitjes së një lufte të re dhe pro krijimit të rrugëve për pajtim duke edukuar të rinjtë në ndërtimin e paqes mes dy shteteve.
Bashkohuni me buletinin tonë dhe qëndroni të informuar për iniciativat tona!
Kjo faqe përdor cookies dhe Google Analytics dhe Google Search Console, në përputhje me Politikën tonë të privatësisë.
Mëso më shumë