Kush jemi ne?

Youth Initiative for Human Rights

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut

11.02.2025

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR) është një rrjet rajonal i organizatave joqeveritare me programe në Serbi, Kroaci, Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Kosovë.

Që nga themelimi i saj në vitin 2003, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut lufton për të njëjtat vlera.

Vlerat themelore të Nismës janë e vërteta, drejtësia, përgjegjësia, barazia, liria, demokracia dhe paqja. Ne punojmë për paqen në rajon—jo vetëm për mungesën e luftës, por për paqen si një proces të vazhdueshëm që nënkupton përballjen me të kaluarën dhe që rezulton në bashkëpunim të vazhdueshëm mes vendeve dhe njerëzve në rajon.

Ne nuk pranojmë politikën nxitëse të luftës dhe praninë e kriminelëve të luftës në hapësirën publike—këmbëngulim në respektimin e fakteve të vërtetuara, si dhe në dënimin ligjor dhe moral të përgjegjësve për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Të rinjtë në rajon i edukojmë për trashëgiminë e luftës, duke zhvilluar dialog mbi perspektivat e zhvillimit demokratik të shoqërive tona.

Aktivistët dhe aktivistet e Nismës, të vetëdijshëm se pa aktivizëm qytetar nuk ka demokraci, mbrojnë të drejtat e njeriut dhe nuk lejojnë cenimin e lirive të fituara.

Zyrat e Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut ndodhen në Beograd, Zagreb, Podgoricë, Sarajevë dhe Prishtinë.

Aktivitetet e Nismës

Fokusi i Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut është te shoqëritë dhe qytetarët—sidomos të rinjtë—të cilët janë më pak të informuar për ngjarjet dhe krimet e luftës të kryera gjatë viteve ’90, ku ende mbizotërojnë ideologjitë nacionaliste që çuan në luftëra dhe ku të gjitha palët i festojnë kriminelët e tyre të luftës si “heronj”.

Përmes programeve të shkëmbimit që Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut organizon që nga themelimi, kanë kaluar më shumë se 15,000 nxënës të shkollave të mesme, studentë, ekspertë juridikë, artistë, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, krijues filmash dhe shkrimtarë. Gjatë 15 viteve të punës, Nisma ka publikuar qindra deklarata publike, më shumë se 30 raporte analitike dhe studime, ka organizuar 200 trajnime, më shumë se 150 programe rajonale shkëmbimi, 300 aksione rrugore dhe protesta, dhe ka fituar 15 raste para gjykatave vendore dhe ndërkombëtare.

Si zëri udhëheqës i të rinjve në rajon, Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut deri më tani ka organizuar katër Samite të të Rinjve të mbajtura në Beograd, Prishtinë, Sarajevë, Zagreb dhe Shkup. Këto samite mblodhën mijëra aktivistë të rinj qytetarë dhe politikë rajonalë e ndërkombëtarë me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe nxitjen e proceseve të reformave demokratike. Samitet e të Rinjve gjithashtu nxitën dhe kontribuuan në themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), një zyrë ndërqeveritare e Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Nisma e të rinjve për të drejtat e njeriut ka themeluar dhe realizon disa festivale me synim lidhjen e të rinjve dhe nxitjen e bashkëpunimit kulturor në rajon, si “Ditët e Sarajevës në Beograd” (deri në vitin 2013), si dhe festivali “Miredita, dobar dan” (që nga viti 2014), i cili prezanton artistët e Kosovës dhe Serbisë në Beograd dhe Prishtinë.

Që nga fillimet e saj, Nisma merr pjesë në çështje me rëndësi publike. Vendimi i parë për shkelje të ndalimit të gjuhës së urrejtjes u dha në shtator 2008 dhe ishte rezultat i procedurës që Nisma nisi kundër gazetës së përditshme “Glas javnosti” për një reklamë që bënte thirrje për bojkotimin e një qendre tregtare, sepse kompania ishte nga Kroacia.

Nisma gjithashtu paditi Qeverinë e Serbisë në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila në vitin 2013 vendosi në favor të Nismës për shkelje të nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi autoritetet refuzuan të lejonin qasjen në informacione në posedim të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) në përgjigje të kërkesës së YIHR të paraqitur sipas Ligjit për Qasje të Lirë në Informacion me Rëndësi Publike. Ky vendim është i rëndësishëm për qytetarët dhe Serbinë sepse konfirmon se agjencitë e inteligjencës i nënshtrohen të njëjtave rregulla për qasjen në informacione si çdo organ tjetër publik dhe se OJQ-të si Nisma mund të luajnë një rol të rëndësishëm—të ngjashëm me mediat—në mbrojtjen e interesit publik dhe në kontrollin e pushtetit.

Rrjeti rajonal i Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut ka marrë shumë çmime vendore dhe ndërkombëtare, ndër të tjera edhe Çmimin Václav Havel për të Drejtat e Njeriut për vitin 2019, që ndahet nga Këshilli i Evropës.

Bashkohuni me buletinin tonë dhe qëndroni të informuar për iniciativat tona!

Kjo faqe përdor cookies dhe përpunon të dhëna bazë në përputhje me Politikën tonë të privatësisë. Mëso më shumë